Pse nuk arritën shqiptarët në mesjetë të krijojnë kishën e tyre autoqefale ...


...siç e krijuan Grekët, Bullgarët dhe Serbët?

Krijimi i një kishe ortodokse autoqefale në mesjetë nuk ishte diçka që mund të bëhej as me iniciativën e popullsisë lokale dhe as prej zellit të madh fetar të udhëheqësve të tyre. Ajo nuk ishte një sipërmarrje që mund ta bënte çdokush, sipas dëshirës, e në çdo kohë. Patrikana e Kostandinopojës jo vetëm që nuk do ta mbështeste një iniciativë të tillë por do ta mallkonte atë një mijë herë, e pastaj do ta luftonte në mënyrë të pamëshirshme e me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion, të cilat në periudhën e perandorisë bizantine ishin të pakufishme. 

Ajo do të lëshonte dokumente zyrtare shkishërimi për të gjithë ideatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj iniciative, gjë që do të thoshte dënim i menjëhershëm me vdekje, dhe do të nxiste autoritetet lokale që t’i shkonin sa më parë në shpatë  e familjet e tyre t’i degëdisnin kushedi se ku. Nëse iniciativa do të mbështetej nga ndonjë princ apo grup familjesh fisnike, Patrikana to të nxiste principatat e mbretëritë fqinje që të prisnin menjëherë çdo marrëdhënie financiare e politike me iniciatorët, dhe nëse as këto masa nuk do të jepnin rezultate, atëherë ajo do të niste fushata ndëshkimore ushtarake me bekimin e vetë perandorit bizantin, për të shtypur me zjarr e me hekur çfarëdolloj forme rezistence ndaj autoritetit të saj. Patrikana nuk do të linte dy gur bashkë derisa ideja për të krijuar një Kishë autoqefale, dhe gjithë mbështetësit e saj, të zhdukeshin plotësisht nga kujtesa popullore.

Në perandorinë bizantine kisha Ortodokse ishte vetë shteti dhe nuk mund të kishte asgjë më të rrezikshme e më të padëshirueshme për të sesa krijimi i një kishe autoqefale në territorin ku ajo sundonte. Krijimi i një institucionin të pavarur fetar në cilindo territor të perandorisë do të thoshte automatikisht ndarje e pushtetit, dorëzimi i pronave e i pasurive të panumërta kishtare, heqja dorë nga mbledhja e taksave dhe dorëzimi i pushtetit shpirtëror të ndjekësve të saj. Me pak fjalë, krijim i një kishte autoqefale ishte e barabartë me dorëzimin total të territorit dhe banorëve të tij. Njësoj sikur të formohej një shtet i pavarur brenda shtetit ekzistues.

Patrikana e Kostandinopojës nuk kishte asnjë arsye që ta lejonte një nismë të tillë, pasi jo vetëm që nuk fitonte asgjë politikisht dhe financiarisht, por krijonte edhe një precedent të rrezikshëm historik duke i hapur kështu udhë shkërmoqjes së mëtejshme të autoritetit e influencës së saj absolute në territorin perandorisë bizantine e më gjerë. Nëse një grup etnik do të lejohej të krijonte kishën e vetë autoqefale, atëherë çfarë i pengonte grupet e tjera që të kërkonin të njëjtën gjë?

Nëse Patrikana e Kostandinopojës nuk lejonte krijimin e kishave autoqefale, atëherë si u krijuan kishat serbe, greke e bullgare?

Kisha autoqefale greke

Pikë së pari, duhet të kuptojmë se Patrikana e Kostandinopojës nuk ka qenë ndonjëherë kishë greke, d.m.th kisha e komunitetit etnik grek. Patrikana e Kostandinopojës ishte kisha e perandorisë bizantine, ose siç quhej zyrtarisht, perandorisë romake, dhe ishte tërësisht në funksion të autoriteti perandorak romak (bizantin). Gjuha zyrtare e kishës Ortodokse të perandorisë ishte greqishtja zyrtare kishtare, ose siç quhet ndryshe Koine, e cila edhe pse e ngjashme, nuk ishte e njëjtë me greqishten popullore (dhimotiki) që flisnin qytetarët e thjeshtë grekë. 

Kisha Autoqefale e Greqisë është krijuar në vitin 1833, plot 5 vjet pas krijimit të Greqisë së pavarur, si rezultat i luftës për pavarësi në 1821-1828 dhe gjuha e saj zyrtare është Greqishtja moderne. Pra deri në vitin 1833 nuk ka ekzistuar një kishë etnike greke. Ashtu si edhe në rastin e kishës autoqefale të Shqipërisë, autoriteti më i lartë i kishës autoqefale të Greqisë është Arqipeshkvia.

Greqishtja kishtare ishte një gjuhë e kultivuar institucionale, e pandryshuar dhe a ruajtur nëpërmjet literaturës dhe doktrinave fetare kishtare për shekuj me radhë. Greqishtja zyrtare mësohej në shkolla fetare dhe kishte një funksion praktik të ngjashëm me latinishten, që edhe pse krejt e ndryshme nga Italishtja, është gjuha zyrtare e Vatikanit. Greqishtja popullore nga ana tjetër, e cila është e mjaft e ndryshme edhe nga greqishtja moderne, ishte greqishtja që ishte zhvilluar natyrshëm nga popullsia greqishtfolëse e perandorisë dhe që kishte pësuar ndryshime thelbësore me kalimin e shekujve. Kjo gjuhë, ashtu si edhe shqipja e gjuhë të tjera etnike në Ballkan, nuk ishte kultivuar dhe as nuk ishte shkruar ndonjëherë.

Kisha autoqefale bullgare

Kisha e parë autoqefale e krijuar në Ballkan është kisha bullgare, ose më saktë kisha e perandorisë bullgare, e cila u themelua në vitin 919 nga cari Boris I, plot 239 vjet pas hedhjes së themeleve të perandorisë së parë bullgare dhe 49 vjet pas krijimit të arqipeshkvisë autonome bullgare në vitin 870, një perandori e fuqishme, e cila u formua në kurriz të perandorisë bizantine dhe që e zëvendësoi plotësisht autoritetin e kësaj të fundit në një pjesë të mirë të Ballkanit për të paktën 338 vjet, pra më shumë se tre shekuj. 

Perandoria Bullgare I nën Carin Samuil 976-1018

Perandoria bullgare, ashtu si ajo bizantine, nuk ishte një perandori me natyrë etnike bullgare. Ajo ishte një perandori multi etnike e multi kulturore, në të cilën u përfshinë bullgarët turkomanë (tashmë të asimiluar), sllavët e Bullgarisë së sotme dhe të Maqedonisë së Veriut, popullsitë latinisht folëse të Rumanisë, serbët, grekët e madje edhe shqiptarët e vllehët. Pra, kisha bullgare nuk ishte kisha e popullsisë etnike bullgare. Ajo nuk u krijuar si rezultat i iniciativës së besimtarëve bullgarë por si rezultat i krijimit të një perandorie të re, e cila kishte vendosur të mos pranonte më autoritetin fetar të Patrikanës së Kostandinopojës por të vendoste autoritetin e vet dhe të vilte frytet politiko-financiare të sundimit kishtar në territorin e saj.

Nga viti 870 deri në vitin 919, për rreth 49 vjet, gjuha zyrtare e arqipeshkvisë autonome bullgare ishte greqishtja kishtare dhe të gjithë klerikët, bashkë me materialet e doktrinës fetare, vinin nga Kostandinopoja. Mirëpo ndërkohë, vetë Patrikana e Kostandinopojës kishte bërë një punë gjigande për shpërndarjen e fesë së krishterë në botën pagane sllave duke ngarkuar me detyrë dy murgj ortodoksë sllavë, Cirilin dhe Metodin, që të krijonin një alfabet sllav të bazuar mbi alfabetin grek, i cili do të shërbente për të shkruar e për të shpërndarë fenë Ortodokse tek sllavët (me kërkesën e mbretit të Moravisë), të cilët në atë periudhë nuk ishin të ndarë në etni dhe që kishin zaptuar pjesën më të madhe të Evropës lindore. Pra krijimi i alfabetit sllav u financua nga vetë Patrikana a Kostandinopojës (jo nga popujt sllavë) me qëllim shpërndarjen e Ortodoksizmit në botën sllave.
Alfabeti cirilik sllav është krijuar me financim të Patrikanës së Kostandinopojës, në bashkëpunim me Papatin e Romës, me qëllim përhapjen e krishtërimit dhe jo me iniciativën e popujve sllavë. Më vonë, në territoret katolike, ky alfabet u ndalua nga Papati.
Kjo nismë kulturore e autoriteteve kishtare bizantine u shfrytëzua nga cari i perandorisë bullgare Borisi I për të rritur prestigjin dhe autoritetin e vet tek nënshtetasit e perandorisë së tij dhe për të rritur numrin e klerikëve që përdornin gjuhën sllave. Me këtë rast ai shfrytëzoi dishepujt e Cirilit dhe Metodit dhe i vuri ata që tu mësojnë klerikëve të rinj shkrimin me alfabetin gllagolit (alfabeti i parë sllav), ndërsa klerikët e Kostandinopojës i dëboi andej nga viti 839. Gjuha që Borisi zgjodhi për kishën e re të perandorisë ishte Sllavishtja që flitej në zonën e Selanikut, d.m.th, një nga dialektet që flasin sot Sllavo-Maqedonasit, jo vetëm për faktin që pjesa dërrmuese e nënshtetasve të tij ishin sllavë por edhe për faktin se puna për shpërndarjen e alfabetit të ri sllav në atë qytet kishte disa dekada që kishte filluar dhe kishte fituar baza të shëndosha didaktike gjuhësore.

Perandoria e parë bullgare nën Carin Simeon në vitin 927

Në vitin 919 perandori bullgar e deklaroi arqipeshkvinë bullgare autoqefale dhe e ngriti në nivelin e Patrikanës. Ky veprim u realizua vetëm pasi ushtritë e perandorisë bullgare i thyen ushtritë bizantine në dy beteja të rëndësishme njëra pas tjetrës, njëra prej tyre në dyert e Kostandinopojës. Pas 20 vjet luftërash pa pushim, në vitin 927, plot 8 vjet pas shpalljes së autoqefalisë (pavarësisë) së kishës së perandorisë bullgare, më në fund Patrikana e Kostandinopojës e njohu autoqefalinë e Patrikanës së kishës bullgare me qendër në qytetin Pliska.

Në këtë periudhë, një pjesë e mirë e territoreve të banuara nga shqiptarët ishin pjesë e perandorisë bullgare, që do të thoshte se edhe një pjesë e popullsisë shqiptare i ishte nënshtruar autoriteti të kishës bullgare. Të rrethuar nga një det me shumicë absolute sllave - një popullsi aq e madhe në numër dhe e fuqishme sa t’i zhvaste Bizantit pjesën më të madhe të Ballkanit - dhe të ndarë në dy kisha të ndryshme (ortodokse dhe katolike), shqiptarët kurrsesi nuk mund të mendonin të merrnin ndonjë tentative të çfarëdollojshme për të krijuar institucion autoqefal apo edhe autonom kishtar, pasi ky veprim nuk do të kishte as kuptim, as ndonjë qëllim praktik dhe nuk do të sillte as ndonjë fitim.

Për më tepër, edhe vetë perandorisë së fuqishme bullgare, e cila kishte thyer ushtritë e perandorisë bizantine sa e sa herë - dhe kishës së saj autoqefale - do t'u vinte një ditë fundi. Në vitin 972, ushtritë bizantine i thyen ushtritë bullgare dhe e zunë kryeqytetin e perandorisë, Pliskën. Pas kësaj ngjarjeje Patrikana bullgare e zhvendosi selinë e saj disa herë, derisa u vendos përfundimisht në Prespë e pastaj në Ohër në vitin 990. Perandoria bullgare vazhdoi të humbiste territore deri në vitin 1018 kur kështjellat e fundit të perandorisë, shumica e të cilave ndodheshin tashmë në territorin e Shqipërisë së sotme, ranë përfundimisht.
Kuriozitet: Kështjellat e fundit të perandorisë bullgare të parë ndodheshin në territorin e Shqipërisë dhe Greqisë veri-perëndimore.
Pas rënies së perandorisë bullgare, perandori bizantin Bazili i dytë e njohu autoqefalinë 99 vjeçare të kishës ortodokse bullgare dhe zotërimet e saj por e uli patrikanën sërish në nivel arqipeshkvie. Ndërkohë që Arqipeshkvi i emëruar ishte Jovan Dibrani, pra një banor i zonës me origjinë nga një fshat i Dibrës, pasardhësit e tij dhe të gjithë klerikët zgjidheshin nga autoritetet bizantine. Njohja e autoqefalisë ishte vetëm sa për sy e faqe, për t’i mbajtur popullsitë sllave të kënaqura. Siç thamë më sipër, Patrikana e Kostandinopojës nuk mund të lejonte asnjë institucion fetar që mund të zëvendësonte sundimin e saj brenda territorit të perandorisë bizantine. 

Megjithatë, priftërinjtë, murgjit dhe shërbimet fetare vazhduan të mbaheshin në gjuhën sllave dhe në këtë mënyrë gjuha e shkruar kishtare sllave - e cila do të shërbente si shabllon për të gjitha gjuhët  e tjera sllave që adoptuan alfabetin cirilik - do të hidhte një herë e mirë rrënjë si gjuhë zyrtare kishtare në perandorinë bizantine. Numri i madh i sllavëve në Ballkan kishte bërë që prania e tyre të linte shenja të pandryshueshme një herë e mirë në fizionominë e gadishullit.

Sllavët në Ballkan në shekullin XIX.

Por përplasjet mes kishës bullgare dhe Patrikanës së Kostandinopojës nuk do të përfundonin aty. Në 1185, plot 167 vjet pas rënies së perandorisë së parë bullgare, do të hidheshin themelet e perandorisë së dytë bullgare me qendër në Tarnovo, e cila do të zgjaste deri në vitin 1393, e bashkë me të edhe ato të kishës së dytë autoqefale bullgare. 

Mirëpo kësaj radhe, duke qenë se arqipeshkvia e parë autoqefale bullgare e kishte selinë në Ohër, jashtë kufijve të perandorisë së re bullgare, dhe ishte tërësisht në duart e Patrikanës së Kostandinopojës, perandorët bullgarë krijuan Arqipeshkvinë Autoqefale të Tarnovos në 1186, një vit pas shpalljes së themelimit të perandorisë. Dhe pas 50 vjetësh e shumë betejave me perandorinë bizantine, perandorët bullgarë më në fund e ngritën Arqipeshkvinë autoqefale të Tarnovos në Patrikanën autoqefale të Bullgarisë dhe Vllahisë (krahinë në Rumani). Perandorit bullgar iu desh që të kryente një bashkim formal të kishës bullgare me Kishën katolike në 1203, në mënyrë që të merrte mbështetjen e kësaj të fundit dhe vetëm 32 vjet më vonë u krijuan kushtet për njohjen e Patrikanës bullgare nga Patrikana e Kostandinopojës, në vitin 1235.

Perandoria e dytë bullgare nën Carin Ivan Asen II 1218-1241

158 vjet më vonë, në 1393 perandoria bullgare ra nën sundimin osman dhe Patrikana e kishës bullgare të Tarnovos u shkatërrua përfundimisht. Dioqeza bullgare hyri sërish nën varësinë e Patrikanës së Kostandinopojës, e cila tashmë ishte në mbrojtjen e perandorisë osmane. E vetmja gjurmë e kishës autoqefale bullgare që rezistoi ishte Arqipeshkvia Autoqefale e Ohrit, e cila ishte tërësisht në shërbim të Patrikanës së Kostandinopojës, e rrjedhimisht në Shërbim të perandorisë osmane deri në vitin 1767, kur pushoi së qëni arqipeshkvi autoqefale dhe hyri plotësisht në suazën e Patrikanës së Kostandinopojës. Gjatë gjithë kësaj periudhe Patrikana e Kostandinopojës kishte zëvendësuar gradualisht të gjithë klerikët dhe liturgjinë sllave me klerikë dhe liturgji greke.

Kisha bullgare u ringjall vetëm në mes viteve 1800 si rezultat i lëvizjeve nacionaliste në Ballkan dhe formimit të ndërgjegjes kombëtare bullgare. Por ajo funksionoi si Ekzarkatë dhe jo si Patrikanë në mes konflikteve të vazhdueshme me Patrikanën e Kostandinopojës deri në vitin 1945 kur kjo e fundit e hoqi skizmën dhe e njohu autoqefalinë e kishës bullgare. Patrikana bullgare (tashmë me bazë etnie) u njoh zyrtarisht si e tillë vetëm në vitin 1953.
Kuriozitet: Kisha autoqefale bullgare nuk e njeh kishën autoqefale të Maqedonisë së Veriut pasi ajo pretendon se ka autoritet edhe mbi territorin e atij vendi.

Kisha autoqefale serbe

Kisha autoqefale serbe u krijua në kushte jo shumë të ndryshme nga kisha autoqefale bullgare dhe për të njëjtat arsye. Gjatë kohës që Patrikana e Kostandinopojës dhe kisha bullgare kishin disa shekuj që përpiqeshin t’i hanin kokat e njëra tjetrës, në territoret serbe nuk ekzistonte asnjë institucion autoqefal fetar. Shumica e popullsisë serbe ishte ose nën autoritetin e Patrikanës së Kostandinopojës ose nën autoritetin e kishës bullgare.

Ashtu si edhe në rastin e kishës bullgare, kisha serbe u krijua si rezultat i situatave rajonale gjeopolitike. Në 1217 Stefan Nemanjiç (i biri i Stefan Nemanjës) u kurorëzua mbret i Serbisë së atëhershme dhe bashkë me kurorëzimin e tij u ngrit edhe çështja e kishës autoqefale serbe. Kjo ndodhi jo pa arsye. Që nga koha kur kisha bullgare filloi tentativat e saj të para për autoqefali kishin kaluar plot 300 vjet dhe perandoria e fuqishme bizantine e rrjedhimisht pushteti i Patrikanës së Kostandinopojës nuk ishin më ato që kishin qenë dikur.

Mbretëria e Serbisë nën mbretin Stefan Uroshi I në vitin 1265

Kostandinopoja ishte pushtuar nga Latinët në 1204 dhe Patrikana e Kostandinopojës ishte larguar prej qytetit duke e zhvendosur në qytetin e Nikeas. Perandoria bizantine ishte ndarë tashmë në disa njësi të pa lidhura gjeografikisht me njëra tjetrën dhe praktikisht të pavarura nga njëra tjera. Shumica e territoreve shqiptare ishin pjesë e Despotatit të Epirit (pasi kishin hyrë me dëshirë pas vdekjes së Dhimitër Progonit), i cili mbante flamurin e vazhdimësisë së perandorisë romake lindore (Bizantit) dhe vazhdonte të qëndronte nën autoritetin e Patrikanës së Kostandinopojës në internim. Edhe territoret sllavo-serbe (Serbi, Mali i Zi, Bosnje) gjithashtu vazhdonin të qëndronin nën autoritetin e kësaj të fundit nëpërmjet Arqipeshkvisë Autoqefale të Ohrit, e cila ishte gjithashtu trashëgimtarja legjitime e Patrikanës autoqefale të perandorisë bullgare të parë. 

Arqipeshkvia e Ohrit dhe territori që kishte nën juridiksionin e saj

Por me krijimin e mbretërisë, Stefani kërkoi themelimin e një institucioni fetar autoqefal me qendër në Serbi, të cilin do të mund ta përdorte për të rritur autoritetin dhe prestigjin e vet si dhe për të vjelë frytet financiare të aktivitetit të saj. Në ndihmë i erdhi vëllai i tij Sava (Rastko Nemanjiç), i cili pasi kishte kaluar një kohë të gjatë bashkë me të atin në manastirin e Hilandarit në Malin Athos, kishte fituar një eksperience dhe autoritet në çështjet dhe problematikat kishtare. 

Në këto kushte, duke qenë në internim, e rrezikuar nga Patrikana Latine e Kostandinopojës nga njëra anë, influenca e Papës (që në atë periudhë quhej Patrikana e Romës) nga ana tjetër dhe nën influencën e Despotatit të Epirit, Patrikana e Kostandinopojës në internim nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte krijimin e Arqipeshkvisë Autoqefale të kishës serbe në vitin 1219. Pra Stefan Njemaniç përfitoi nga dobësimi i pushtetit të Patrikanës së Kostandinopojës në internim për t’i dhënë jetë planit të tij. Vëllai i Stefanit, Sava (sot Shën Sava), shpenzoi gjithë jetën e tij duke organizuar Dioqezat dhe duke propaganduar doktrinën ortodokse tek popullsitë sllavo-serbe, themelet e së cilës ishin hedhur që para 3 shekujsh nëpërmjet kishës bullgare dhe krijimit të alfabetit sllav nga Cirili dhe Metodi. Pra mund të thuhet se 90% e punës ishte kryer tashmë dhe se kisha serbe nuk ishte asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e kishës bullgare.

Nga viti 1219 deri në vitin 1253, selia e arqipeshkvisë autoqefale serbe kishte qenë në Manastirin e Ziçës, afër qytetit të Kraljevos (kral-mbret në serbisht). Në 1253 selia u zhvendos në qytetin e Pejës, pranë kufijve të territoreve shqiptare të Dhespotatit të Epirit, jo pa qëllim.
Kuriozitet: Kur u krijua Arqipeshkvia autoqefale e mbretërisë serbe në Kraljevo, kishat dhe manastiret në Kosovë kishin disa qindra vjet që ishin ndërtuar.
Me zgjerimin e mbretërisë serbe u rrit edhe autoriteti i arqipeshkvisë. Por vetëm pasi Stefan Dushani zgjeroi sundimet tij në drejtim të Despotatit të Epirit dhe perandorisë bizantine, dhe i dha vetes titullin car (me mbështetjen e perandorit bullgar, carit Ivan Aleksandër), pati mundësinë arqipeshkvia të rritej në nivel Patrikane. Plot 127 vjet pas marrjes së statusit autoqefale. Në 1346, Stefan Dushani organizoi në Shkup (ish kryeqyteti i perandorisë bullgare) një mbledhje të madhe në të cilën morën pjesë Arqipeshkvi i Pejës, ai i Ohrit dhe Patriarku i kishës së perandorisë së dytë bullgare. Së bashku, këta vendosën që Arqipeshkvia e Pejës të rritej në nivel Patrikane.

Perandoria e Serbisë (në vitin 1355) nën Carin Stefan Dushan

Patrikana auoteqefale serbe mori nën hyqmin e vet edhe Arqipeshkvinë Autoqefale të Ohrit dhe sovranitetin e Malit Athos në Greqi. Për këtë veprim Patrikana a Kostandinopojës e shkishëroi Stefan Dushanin në vitin 1350.
Kuriozitet: Nga titulli që mbante zyrtarisht Cari Stefan Dushan kur u bë perandor shikojmë se shqiptarët përmenden të fundit për shkak se, me shumë gjasa, do kenë qenë populli më i vogël në numër nga gjithë të tjerët.
21 vjet më vonë, në vitin 1371 perandoria  serbe kishte rënë plotësisht nën sundimin e perandorisë osmane. Në vitin 1463, pas vdekjes së Patriarkut të kishës serbe Arsenije II nuk u zhvilluan më zgjedhje për Patrikun e ri. Kjo bëri që kisha serbe të kalonte nën juridiksionin e Arqiepshkvisë së Ohrit e rrjedhimisht nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës që tashmë funksiononte si autoriteti suprem i administrimit të popullsisë ortodokse të perandorisë osmane.

Patrikana e kishës serbe u rivendos sërish në vitin 1557, me në krye Makarije Sokoloviçin, 94 vjetë pasi kishte pushuar së ekzistuari, kur Sulltan ishte Sulejmani i madhërishëm. Patriku Makarije ishte kushëri me vezirin e lartë të perandorisë Osmane Mehmed Pashë Sokoloviçin, i cili ndikoi tek sulltani për rivendosjen e Patrikanës serbe.

Osmanët e shfuqizuan edhe një herë Patrikanën serbe në vitin 1766 për shkak të disa revoltave të njëpasnjëshme të organizuara nga autoritet kishtare dhe kisha serbe qëndroi nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës deri nga mesi i viteve 1800. Ashtu si edhe Patrikana Bullgare, Patrikana serbe moderne me bazë etnie u ringjall në vitin 1848 në qytetin e Karlovcit, në territore që ishin nën sundimin e perandorisë austriake, me qëllim nxitjen e ndjenjës kombëtare serbe dhe shpërbërjen e mëtejshme të perandorisë osmane.

Përfundime

Me pak fjalë, fuqia dhe autoriteti i Patrikanës së Kostandinopojës ka qenë për shekuj me radhë i jashtëzakonshëm, e madje edhe më i madh se i vetë perandorisë bizantine pasi vazhdoi të ushtrojë pushtet edhe 466 vjet të tjera pas rënies së së saj, nën perandorinë osmane, dhe shtrihej në të gjitha drejtimet ku kishte komunitete besimtarësh ortodoksë (përveç atyre armenë). E vetmja mënyrë për të sfiduar autoritetin e Patrikanës së Kostandinopojës ishte nëpërmjet krijimit të një perandorie të re ose falë ndonjë manovre të fortë politike, gjë që për popullin fare të vogël shqiptar ishte diçka praktikisht e paarritshme, ngado që ta marrësh.

Kishat autoqefale të ashtuquajtura bullgare e serbe u krijuan si rezultat i ngjarjeve madhore gjeopolitike dhe patën si qëllim zëvendësimin e Patrikanës së Kostandinopojës, edhe pse nuk ia arritën dot kurrë atij qëllimi. Ato nuk u krijuan me bazë etnie por me bazë numrash. Sllavët - të cilët konsideroheshin pak a shumë si një popullsi e vetme - ishin aq të shumtë në numër saqë kishin mundësi të krijonin perandori të fuqishme që mund të sfidonin Bizantin. Pesë herë u bënë tentativa nga bullgarët për të krijuar një kishë të pavarur nga Patrikana e Kostandinopojës dhe nga këto katër herë kjo e fundit arriti ta shkrijë atë e ta fusë në hyqmin e vet. Po ashtu edhe kisha serbe. Të katër tentativat e saj për pavarësi përfunduan po njësoj si ato të kishës bullgare. Shqiptarët nuk i patën asnjëherë numrat e mjaftueshëm për të ndërmarrë diçka të tillë.

Për më tepër, ndryshe nga sllavët, shqiptarët dhe grekët ishin nga popullsitë e lashta të perandorisë romake e më pasj asaj bizantine. Këto popullsi kishin jetuar për më shumë se 1000 vjet nën autoritetin e perandorisë romake dhe nuk kishin asnjë arsye pse të krijonin kisha e autoritete autoqefale pasi e konsideronin Patrikanën e Kostandinopojës si të tyren dhe autoritetin e saj të padiskutueshëm.
Shqiptarët dhe Grekët ishin ndër popullsitë e lashta të perandorisë romake e më pas asaj bizantine. Ata kishin pasur një bashkëjetësë paqësore mijëra vjeçare.
Gjithashtu, ndryshe nga sllavët, të cilët kishin ardhur rishtas në Ballkan dhe që ishin në një farë mënyre të unifikuar prej gjuhës, edhe për shkak të punës së Patrikanës së Kostandinopojës, Shqiptarët dhe Grekët kishin bashkëjetuar me njëri tjetrin e me shumë grupe të tjera etnike për më shumë se 1500 vjet me radhë e për ta nuk kishte asnjë arsye të që organizoheshin e të ndaheshin me bazë etnie apo gjuhe pasi Greqishtja kishtare i bashkonte të gjithë ata. 

Jo vetëm kaq, por ekzistojnë dokumente e dëshmi të ardhura nga periudha të ndryshme historike, me hapësira kohore disa qindra vjeçare nga njëra tjetra, të cilat tregojnë se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë besimtarë të devotshëm e ndjekës të zellshëm të doktrinave fetare. Jo rrallë herë shqiptarët janë përshkruar si gjysmë besimtarë, të cilët preferonin që besnikërinë a tyre t’ia ofronin më parë fisit dhe zakoneve të tyre fisnore se sa autoriteteve kishtare. 

Ndryshe edhe nga grekët edhe nga sllavët, arbërit rridhnin nga një popullsi e lashtë autoktone me rrënjë farefisnore. Parardhësit e tyre, ilirët nuk kishin qenë asnjë herë të sunduar nga një autoritet suprem mbretëror, perandorak ose i çfarëdo lloji tjetër, duke preferuar që të jetojnë të lirë e nëpër vendbanime të vogla sipas sistemit të tyre fisnor, edhe gjatë kohës së perandorisë romake. Ilirët kishin qenë të organizuar në këtë formë të paktën që nga shekulli i X-të p.e.s dhe asnjë nga civilizimet e lashta të mesdheut nuk kishte arritur ta ndryshonte këtë formë organizimi shoqëror. Pra ky ishte një organizim shoqëror që ekzistonte i pandryshuar për të paktën 2000 vjet, nga këto gjysma para përhapjes së krishtërimit në Europë.

Kur u dyndën sllavët në Ballkan ata i shkaktuan popullsisë autoktone ilire shumë dëme dhe atë pjesë që mbeti gjallë e asimiluan. Shqiptarët do kenë qenë i vetmi fis ose grup fisesh ilire që i mbijetuan dyndjeve sllave, të cilëve të gjendur ashtu në pakicë e të dëbuar nga tokat e tyre, bashkë me popullsitë vllehe, iu është dashur disa shekuj që të rimarrin veten, të shumohen e të kthehen sërish në faktor rajonal. Dhe faktikisht, në prag të përfundimit të luftës së dytë botërore shqiptarët në ballkan nuk kanë qenë më shumë se 1.5 milion frymë, të ndarë në 3 shtete.

Pra shqiptarët nuk mund të krijonin një kishë të tyren në mesjetë pasi nuk kishin as numrat, as pushtetin e as arsyet objektive për ta bërë një gjë të tillë, pasi çdo tentativë e tyre për të krijuar një kishë autoqefale do të duhej të shoqërohej me ngritjen e një perandorie, gjë që për shkaqet e mësipërme s’mund të realizohej kurrë. Për shtjellimin e kësaj teme shiko shkrimin me titull "Pse nuk e krijuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar?"

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?